Premte, 26-04-2024, 21:58
Mire se Vini Gast | RSS
Menü
Einloggen
Mini-Chat
300
Unsere Umfrage
Bewerten Sie meine Website
Antworten insgesamt: 99
Koha Neser
Das Wetter in Pejë
Numri i Vizitorve
Hauptseite » 2012 » Shkurtë » 12 » Tre të vdekur nga orteku i borës
22:49
Tre të vdekur nga orteku i borës

Tre të vdekur nga orteku i borës në Restelicë
Policia e Kosovës konfirmoi edhe viktimën e tretë nga orteku që ka goditur disa shtëpi në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

"Gjatë përpjekjeve të vazhdueshme për nxjerrjen e personave të ngujuar nga orteku është nxjerrë edhe personi i tretë pa shenja jete”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ekipet e shpëtimit janë duke vepruar drejtpërdrejt në vendin e ngjarjes në fshatin Restelicë, në shtëpitë, të cilat janë gotitur nga orteku i borës, bën të ditur zëvendës-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shemsi Veseli.

Dyshohet se edhe shtatë persona të tjerë gjenden të ngujuar nëpër shtëpi nga orteku i borës.

Veseli ka thënë se njësitë e shpëtimit tashmë kanë arritur që ta nxjerrin nga bora një person me shenja jete, të cilit është duke iu dhënë ndihma mjekësore.

Por, zëvendësministri Veseli ka apeluar te qytetarët që kanë shkuar në Restelicë për të ndihmuar, që t’i largojnë veturat, të cilat, sipas tij, i kanë parkuar në mënyrë të çrregullt në rrugën e ngushtë që çon për këtë fshat dhe e kanë bllokuar qarkullimin e njësive dhe makinerisë së rëndë të FSK-së dhe Policisë së Kosovës. Pengesat në rrugë nga veturat, sipas tij, kanë penguar depërtimin e eskavatorëve në vendngjarje.

***

Një ortek bore, me thellësi 10 metra dhe me gjerësi 500 metra ka goditur 15 shtëpi, të cilat gjenden në anën e djathtë të fshatit Restelicë të komunës së Dragashit. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëvendës-ministrisë si Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shemsi Veseli. Ai ka thënë se "si pasojë e këtij orteku, vdekjen e kanë gjetur të paktën 2 persona, ndërkaq, që dyshohet se të paktën edhe 6 persona të tjerë gjenden të mbuluar me borë”.

"Orteku në fshatin Restelicë i ka vërshuar ato 15 shtëpi, në orën 7: 30 të mëngjesit. Sipas informatave të konfirmuara, deri më tash janë gjetur 2 kufoma. Është një mashkull, i lindur më 1958, me inicialen e emrit N. Reka, mbiemrin ashtu siç ne i kemi të dhënat dhe është një kufomë tjetër e gjinisë femërore, mosha e të cilës nuk konfirmohet. Dyshohet që së paku, tash për tash, janë edhe 6 persona në dëborë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Veseli.

Në vendngjarje, për të ndihmuar për largimin e borës dhe shpëtimin e mundshëm të banorëve të goditur nga orteku, kanë dalë njësitë e FSK-së, të Policisë së Kosovës dhe banorët lokal. Veseli ka bërë të ditur se në Restelicë kanë shkuar njësitë e gjenios, njësitë për kërkim-shpëtim, njësia për dhënien e ndihmës mjekësore dhe njësia për menaxhimin e krizave.

"Për momentin, uroj fatin për ata persona të cilët janë të përfshirë nën dëborë, që të jenë në ndonjë pjesë ku kanë mundur të strehohen dhe që orteku nuk ka mundur t’i përfshijë dhe gjithmonë me shpresën që do të arrijmë me kohë që të mund t’i nxjerrim. Ndoshta do të jetë ndonjë prej tyre që do të jetë i gjallë. Do të bëhet maksimumi që me të gjitha ekipet e mundshme të nxirren ata”, ka sqaruar Veseli.

Ndryshe, dyshohet se janë edhe 11 persona nën borë, anëtarë të familjeve, të cilat i ka goditur orteku i borës. /REL/

Gjendje e jashtëzakonshme në Dukagjin

Reshjet e borës kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve, nga qyteti i Gjakovës, Junikut, Deçanit, Klinës nuk ka patur qarkullim as të linjave të autobusëve, ndërkohë që pritet që qarkullimi të filloj në orët e pasdites, ka njoftuar për Radio Dukagjinin drejtori i Stacionit të Autobusëve Elez Gashi.

Ndërsa Brahim Sadriu nga Policia e Kosovës, deklaroi se qarkullimi nëpër rrugët lokale, ato rajonale dhe në pikëkalimet kufitave është i lirë. Sipas tij ka vështirësi të theksuara në rajonin e Dukagjinit, ku reshjet e mëdha të borës kanë bllokuar shumë rrugë, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimin kufitar Kullë-Rozhajë.

Ndërsa në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë duke u realizuar të gjitha fluturimet sipas planifikimeve.

Gjendja e jashtëzakonshme e paraparë të përfundojë sot në Pejë, do të mbetet në fuqi. Tash kur niveli i borës që pandërprerë po bie në Pejë, ka arritur lartësinë prej 1 m. e 30 cm.

Kryetari i komunës, Ali Berisha, përkundër paralajmërimeve, i shtyrë nga rrethanat e natës së shkuar dhe këto të sotme, la në fuqi gjendjen emergjente. Sipas, Berishës, procesi mësimor në këtë komunë që ishte paraparë të vazhdonte me 13 shkurt të hënën sipas të gjitha gjasave pritet të shtyhet sërish.

Berisha thotë se në këtë drejtim po pret koordinimin me ministrinë e arsimit për të marrë një qëndrim të prerë dhe opinioni do të informohet shumë shpejt për këtë çështje.

Komuna edhe njëherë apelon qytetarët që secili në shtëpitë dhe lagjet e veta të jap kontributin për pastrimin e borës ndërsa që brengë për komunarët mbeten çatitë e shtëpive.

Ndërkohë edhe komunat tjera në rrafshin e Dukagjinit nuk po e kalojnë më lehtë këtë situatë. Kryetari i komunës së Gjakovës Pal Lekaj, deklaroi për radio Dukagjinin se edhe në Gjakovë gjendja është vështirësuar pas reshjeve të mbrëmshme e që po vazhdojnë edhe tani. Por më e rënduar paraqitet gjendja në disa fshatra të kësaj komune.

Kryetari Lekaj tha se kompanitë po bëjnë punën e tyre me kapacitetin maksimal.

Edhe zëdhënësi i komunës së Prizrenit Ymer Berisha e paraqiti të vështirësuar gjendjen në ketë komunë, raporton Dukagjini.

Shqipëri: Në Tropojë, bora arrin në 2 metër

Reshjet e borës që vijojnë prej ditësh kanë bllokuar rrugët në veri të Shqipërisë, duke izoluar një numër të madh komunash. Situata më problematike paraqitet në Tropojë, ku reshjet e borës që vijojnë prej mbrëmjes së kaluar e kanë rritur trashësinë e borës, duke i bërë të pakalueshme edhe rrugët brenda qytetit.

Bajram Curri është izoluar nga pjesa tjetër e vendit dhe nga Gjakova, ndërsa bora vijon të rrisë trashësinë.

Sipas banorëve të Bajram Currit, të kontaktuar me telefon nga "Shekulli”, rreth 60 cm borë kanë rënë gjatë natës, duke e çuar në rreth 180 cm trashësinë e saj.

Banorët tashmë nuk mund të lëvizin as nëpër qytet, ndërsa mjekët shpresojnë të mos ketë urgjenca shëndetësore, pasi edhe transportimi me helikopter do të ishte tejet i vështirë për shkak të mjegullës së dendur.

Sipas burimeve, zonat e thella të luginës së Valbonës, përveç sasisë së madhe të borës duhet të përballen edhe me mungesën e energjisë elektrike, e cila është shkëputur që nga pasditja e djeshme. Ata shprehen se pavarësisht se i kishin marrë masat për rezervat ushqimore, koha e gjatë e izolimit po i çon ato drejt fundit.

Në Valbonë, ndihmësmjeku i zonës, A. Selimi, shprehet se rezervat e ilaçeve janë drejt fundit. Sipas tij, në fshatin turistik janë të paktën 20 të sëmurë kronikë, të cilët kanë mbetur pa medikamentet e nevojshme për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar prej mëse dy javësh.

Ndërkohë, edhe në Pukë paraqitet një situatë e ngjashme. Të gjitha akset që lidhin qytetin me zonat e tjera janë bllokuar, ndërsa bora vijon të bjerë me intensitet. Trashësia e madhe e borës ka reduktuar edhe lëvizjet brenda qytetit.

Ndërsa në Kukës, trashësia e borës ka arritur në qytet deri në 90 cm, kurse në zonat e thella ajo i kalon 2.5 metër. Bora e rënë gjatë natës ka bllokuar të gjitha rrugët me komunat, ndërsa qarkullimi është vështirësuar edhe brenda qytetit.
Aufrufe: 1670 | Hinzugefügt von: hikusi | Rating: 0.0/0
Kommentare insgesamt: 0
Nur registrierte Benutzer können Kommentare hinzufügen.
[ Registrieren | Login ]
Shtype per Radio
Futboll
Kalendari
«  Shkurtë 2012  »
He.Ma.Me.Ej.Pr.Sh.Di.
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
272829
Suche
Archiv der Einträge
RTK
Arta TV