Nga Arben Kallamata Asgjë nuk mund të realizohet pa kryer hapin e parë – pa e analizuar, identifikuar, dhe pranuar problemin. Dhe problemi është se ne jemi racistë. Kjo është diçka e keqe, jashtëzakonisht e keqe, për të cilën duhet të na vijë turp. A janë racistë shqiptarët? Këtë pyetje ma ka bërë për herë të parë një amerikan më 1992. Pa u menduar iu përgjigja "Jo!” Një ‘jo’ e sigurt, pa pikë hezitimi. Dy minuta më vonë e kuptova se i vetmi argument ku e mbështesja përgjigjen ishte emocional – ideja e përgjithshme se fjala "racist” ka ngarkesë negative, gjë që binte ndesh me idenë time për kombin tim. Mëse një dhjetëvjeçar më pas kam pasur rast ta rishikoj, ta rivlerësoj, dhe ta përqas me sa mundem atë përgjigje me faktet dhe të vërtetën. Përfundimi, duhet ta pranoj, me del kam qenë krejtësisht gabim. Sot së njëjtës pyetjeje do t’i jepja një PO të madhe, të sikletshme. Megjithëse Po-ja nuk mund të përfshijë të gjithë shqiptarët, kam frikë se do të kapte pjesën më të madhe. Njoh shumë njerëz që nuk i përqasen fare përkufizimit të racistit, siç edhe mund të them se shkalla e racizmit, ose e keqdashjes raciste varion nga një njëri te tjetri. Iu vura këtij shkrimi jo për të denigruar apo ulur njeri, por për të hapur një diskutim në njohje dhe përmirësim të vetes. Në vija të përgjithshme racizmi nënkupton veprime, praktika, dhe besime që i shohin qeniet njerëzore të ndara sipas disa tipareve, aftësive ose cilësive të caktuara – personaliteti, zgjuarsia, vlerat morale, apo karakteristika të tjera të sjelljes kulturore. Në bazë të tij qëndron bindja se racat mund të renditen sipas një shkallëzimi ku disa qëndrojnë më lart dhe disa më poshtë, dhe se njerëz të racave të ndryshme duhen trajtuar ndryshe. Racizmi dhe dallimi (diskriminimi) janë terma që përdoren shpesh për të përshkruar ndarjen në bazë etnie ose kulture, pavarësisht nëse ndryshimet përshkruhen apo jo si racore. Sipas Konventës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Dallimit Racor (Nju Jork, 4 Janar 1969), nuk ka asnjë ndryshim midis dallimit racor dhe dallimit etnik. Superioriteti i bazuar në dallimet racore është shkencërisht i pabazuar, moralisht i ndëshkueshëm, shoqërisht i padrejtë dhe i rrezikshëm. Dallimi racor nuk ka asnjë justifikim, asnjëherë, as si teori, as si praktikë. Le të përpiqemi ta përqasim këtë përkufizim me qëndrimin që kemi mbajtur historikisht ne shqiptarët ndaj dy popullsive që i kemi pasur mes vetes prej shekujsh – vllehëve dhe egjiptianëve. Origjina e vllehëve të Ballkanit nuk është përcaktuar ndonjëherë saktësisht, por sipas një teorie mbizotëruese, ata mendohet të jenë popullsi me prejardhje ilire, të cilët flasin një gjuhë latine. Ka edhe teori të tjera, por që të gjitha pajtohen në një pikë – vllehët kanë jetuar në këto troje ndoshta që prej dymijë vjetësh. Vllehët mund të gjenden praktikisht në të gjitha shtetet e Ballkanit dhe fatkeqësisht, nga të gjitha popullsitë e gadishullit janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, ose mënjanuar si "të huaj” – vetë fjala "vlleh” vjen nga gjermanishtja e vjetër – walha – i huaj. Në trojet tona, i vetmi ndryshim i kësaj popullsie nga të tjerët është që ata flasin edhe një gjuhë tjetër veç shqipes, një gjuhë latine. Janë po aq të vjetër, po aq autoktonë sa ç’pretendojnë të jenë një pjesë e popullsisë rreth tyre, madje shumë më të vjetër, shumë më autoktonë se shumë të tjerë. E, megjithatë, ende sot segmente të të ashtuquajturve "shqiptarë të kulluar” nuk i pranojnë vllehët si pjesë të kombit të vet, përdorin ndaj tyre terma përbuzës (çobanë, llaci-faci, çopen, etj.) dhe ngrysin vetullat kur flitet për ta. Diskriminimi që vihet re ndaj vllehëve çohet në ekstrem në qëndrimin ndaj egjiptianëve të Shqipërisë (Ashkalijtë në Kosovë, magjypt në veri, ose jevgjit në pjesën më të madhe të territorit të RS), të cilët jo vetëm që nuk janë integruar, por edhe përbuzen dhe keqtrajtohen si "racë më e ulët”. Po shkruaj termin "egjiptianë” pasi fjalët jevg dhe magjyp kanë marrë në gjuhën shqipe një nënkuptim aq të poshtër, aq të neveritshëm, aq racist, sa të vjen turp t’i përdorësh. Vetë ngarkesa nënkuptimore e këtyre fjalëve flet qartë për shkallën e racizmit. Gjurmët e hershme të egjiptianëve në gadishullin e Ballkanit mund të gjinden që në shkrimet e grekëve të lashtë. Ndoshta prejardhja e atyre që jetojnë mes nesh mund të mos jetë edhe aq e lashtë, por kjo nuk do të thotë asgjë. Edhe dyqind apo njëqind vjet të kenë kaluar që nga ardhja e tyre, trajtimi që iu është bërë është i padurueshëm. Këta njerëz, që janë krejtësisht shqiptarë – jetojnë në Shqipëri, kanë pasaporta shqiptare, kryejnë shërbimin ushtarak, flasin shqip, e duan vendin e tyre– nuk kanë pasur asnjëherë të drejtat që kanë pasur të tjerët përreth. Dhe kjo ndoshta vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës. Egjiptianët e Shqipërisë janë përgjithësisht popullsi qytetëse, të cilët kanë qenë të detyruar të jetojnë në getot e tyre, në lagje të veçanta dhe të kryejnë punë të dorës së dytë – shërbyes në familjet e "bardha”, teneqepunues, tregtarë të vegjël, pastrues (rrugësh, institucionesh, banjash publike), ahengxhinj, instrumentistë etj. Edhe kur për arsye zhvillimi urban i kanë lëvizur nga getot, atyre iu jepeshin katet përdhese të ndërtesave, ndërkohë që "shtresa e lartë", "popullsia e zgjedhur”, "superiorët e bardhë” kapnin katet e sipërme. Me qindra vjet jetesë mes nesh për ta s’kanë qenë kurrë bashkëjetesë. Martesat e racës "superiore” shqiptare me shqiptaro-egjiptianët inferiorë janë parë gjithmonë si skandale të padëgjuara, ndërkohë që "të bardhët e pasur” nuk kanë munguar të flirtojnë me gratë apo burrat zeshkanë. Dyert e shkollave shqiptare kanë qenë kryesisht të ngushta për të pranuar njerëzit me ngjyrë, ndërkohë që edhe në shumë zanate ata nuk arrinin të qaseshin. Ky lloj qëndrimi ndaj pjesës me ngjyrë errët të popullsisë shqiptare ka qenë mbështetur heshturazi ose haptazi nga të gjitha qeveritë shqiptare, që prej krijimit të shtetit e deri më sot. Unë nuk e di saktësisht se ç’përqindje të popullit shqiptar përbëjnë egjiptianët sot, por di të them se prej tyre nuk kemi pasur ende anëtarë parlamenti, anëtarë qeverie, kryetarë bashkie, njerëz të zgjedhur apo të caktuar në poste të rëndësishëm. Ndaj tyre ka pasur vetëm nënvlerësim dhe përbuzje. Ndoshta është koha që qeveria shqiptare, Kryeministri, Presidenti, Parlamenti, t’iu kërkojë publikisht falje në emër të pjesës tjetër të popullit, këtyre njerëzve, këtyre nënave, etërve, fëmijëve, vajzave e djemve që jetojnë midis nesh dhe që trajtohen në mënyrën më të papranueshme për çdo normë të moralit njerëzor. Jo vetëm kaq, por shteti shqiptar do të bënte mirë të organizonte programe të veçanta për shkollimin e tyre, për t’iu dhënë mundësi të fitojnë kohën e humbur. Pa arritur të korrigjojmë sjelljen tonë ndaj atyre që jemi mësuar nga ca standarde të pakuptimta shoqërore t’i shohim si inferiorë, ne nuk kemi përse të presim dhe të kërkojmë të na trajtojnë të tjerët si të barabartë. Shumë shqiptarë e kanë ndjerë drejtpërdrejt në lëkurë dhe janë indinjuar nga racizmi i një pjese të popullsisë greke, italiane, apo europiano-perëndimore ndaj tyre, veçanërisht në vitet 1990. Shumë nga ne jemi hedhur përpjetë dhe kemi protestuar. Ironikisht, jo rrallëherë dëgjon shprehje të tilla si: "Na kanë trajtuar si jevgjit!” – a thua se trajtimi që iu bëjmë ne egjiptianëve është më i justifikuar se sa trajtimi që na bëjnë italianët apo grekët ne. Ne jemi popull racist jo sepse jemi popull i keq, por sepse në këtë drejtim kemi trashëguar një kulturë të keqe. Kultura jonë kombëtare kundrejt racizmit ka qenë historikisht dhe mbetet edhe sot e kësaj dite e pamoralshme, e gabuar. Paragjykimet tona racore, dallimet që mundohemi të bëjmë ndaj njerëzve që janë të ndryshëm nga ne janë të papranueshme. Këto paragjykime dhe dallime na janë ngulitur në kokë nga familja, nga shoqëria, nga media, nga çdo qelizë e jetës, prandaj është e vështirë t’i shkulim. Kërkohet një përpjekje e gjerë, në shkallë kombëtare, për t’i hequr qafe ato. Kërkohet një program i tërë, shtetëror dhe i shoqërisë qytetare, për t’u çliruar nga mendësi të tilla mesjetare. Por asgjë nuk mund të realizohet pa kryer hapin e parë – pa e analizuar, identifikuar, dhe pranuar problemin. Dhe problemi është se ne jemi racistë. Kjo është diçka e keqe, jashtëzakonisht e keqe, për të cilën duhet të na vijë turp.
|