Unsere Umfrage | |
|
Hauptseite » 2012 » Shkurtë » 13 » Arid Uka dënohet me burgim
01:51 Arid Uka dënohet me burgim |
Arid Uka dënohet me burgim të përjetshëm
Para rreth një viti Arid Uka kreu një atentat ndaj ushtarëve amerikanë në Aeroportin e Frankfurtit në Gjermani. Nga gushti 2011 ai ndodhet në bankën e të akuzuarve. Sot gjykata shpalli dënimin me burgim të përjetshëm.
Shpesh ai rri aty, pa bërë asnjë lëvizje, veçse duke fiksuar me sy buzën e tryezës. Përfaqësuesit të të afërmve të viktimave i bie në sy se një herë ai e dëgjon pak më me vëmendje dëshminë e një gazetari për gjoja pjesëmarrjen e tij në një kamp për trajnim terroristësh në Bosnjë. Kur bashkë-paditësi e pyet se përse ky interesim i papritur: "Mua gati sa nuk po më zinte gjumi”, përgjigjet djali me flokët e zeza të hedhura pas. "Unë e di se ku kam qenë!”
Një skenë filmi si shtysë
Nëpërmjet avokates së vet deklaron se në verën e vitit 2010 nuk ka qenë në një kamp trajnimi xhihadistësh në Bosnjë, por pjesërisht në Kosovë, ku mes të tjerash është përpjekur për dokumentet e nevojshme për të marrë shtetësinë gjermane. Pjesën tjetër të kohës, siç del në pah nga hetimet e prokurorisë, ai e kishte kaluar më së shumti në banesën e prindërve në Frankfurt, ku shpesh luante lojëra lufte në internet ose shkarkonte material propagande xhihadiste.
Ngjashëm kishte qenë edhe në mbrëmjen para atentatit të 2 marsit 2011. Kishte parë një video në internet ku ushtarë amerikanë në Afganistan gjoja përdhunonin femra myslimane. Skena në fakt ishte e një filmi hollivudian, por përdorej nga Lëvizja Islame e Uzbekistanit për qëllime propagandistike.
Të nesërmen, para se të nisej për në vendin e tij të punës si ndihmës në postën e aeroportit, përveç bukës së pushimit në thesin e shpinës kishte futur edhe një pistoletë, fishekë dhe dy thika. Në veshët e tij ende gjëmonin këngët xhihadiste që i dëgjonte në mp3 kur gjeti ushtarin e parë të sapo ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm pasi gati të 15 ushtarët e paarmatosur u futën në autobusin që do t'i çonte në bazën ushtarake amerikane në Ramstein, hipi edhe atentatori dhe filloi të qëllonte. Dy i vrau, dy të tjerë i plagosi rëndë, tek i pesti i ngeci pistoleta. Pak më vonë u arrestua.
Amok apo xhihad?
Avokati i caktuar nga gjykata, Jens Joerg Hoffmann, e përshkruan këtë akt si "amok me fund tragjik të një djali të ri, të papjekur e me depresione”. Edhe avokatja e tij Michaela Roth thotë se Arid Uka nuk është terrorist. "Është një vepër që ai vetë nuk e kupton”, i thotë Roth Deutsche Welles.
Në ditën e parë të gjyqit, në gusht 2011, Arid Uka u distancua nga vepra e tij, por nuk dërgoi asnjë sinjal në adresë të viktimave: "Në se nuk kishte vend për të kërkuar falje, të paktën të shprehte keqardhje për të afërmit”, thotë Marcus Steffel, njëri nga bashkëpaditësit, që përfaqëson të afërmit e dy ushtarëve të vrarë.
Për prokurorin federal Jochen Weingarten kjo është një vepër me motive xhihadiste dhe një krim veçanërisht i rëndë: "Kjo rrjedh nga dy të vdekurit, dy të plagosurit rëndë, dhe nga fakti, që ai do të kishte vrarë edhe amerikanë të tjerë, në se nuk do t'i kishte ngecur pistoleta”, argumenton Weingarten dhe kërkon dënimin më të rëndë që ekziston në Gjermani. Sipas ligjeve gjermane kjo do të thotë se ai nuk mund të lirohet para kohe pas 15 vjetëve, siç bëhet zakonisht për të dënuarit me burgim të përjetshëm.
Arid Uka është rritur në Gjermani, por ka lindur në Kosovë, në një vend ku shumica është myslimane, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë një simpati shumë të madhe e ku jo vetëm rrugët, por shpesh edhe fëmijët mbajnë emra, Klinton a Ollbrajt – si shenjë falënderimi për mbështetjen ndaj luftës së viteve 1999. Kur u bë i njohur lajmi për atentatin e Frankfurtit kushërinjtë e Arid Ukës nga Mitrovica e Kosovës u treguan shumë të çuditur nëpër media dhe nxituan të theksonin qëndrimin proamerikan të familjes.
I radikalizuar në internet
Babai i Arid Ukës, i cili sipas raporteve në medie, fëmijët i ka edukuar si besimtarë, por jo fanatikë, menjëherë i kërkoi të falur Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet medies. Por ndërkohë prindërit e tij janë tërhequr dhe refuzojnë jo vetëm intervistat me gazetarë, por edhe të dalin para gjyqit.
Megjithëse i rritur si mysliman besimtar, me sa duket familja e tij nuk ka pasur ndonjë ndikim në orientimin e tij xhihadist. "Nuk ka asnjë shenjë që flet për radikalizimin e tij në familje. Madjen nuk ka asnjë tregues për ndonjë lidhje tjetër direkte”, thotë për Deutsche Wellen, Guido Steinberg, nga Fondacioni "Shkenca dhe Politika” në Berlin.
Arid Uka në fakt kishte në Facebook pseudonimin luftarak Abu Reyyan (Ruajtës i portës qiellore) dhe ishte i lidhur nëpërmjet tij me salafistët më të njohur të Gjermanisë, por nga hetimet del se asnjërin syresh ai nuk e kishte njohur personalisht. Edhe hipoteza e pjesëmarrjes së tij të mundshme në një kamp trajnimi në Bosnje në masë të madhe u hodh poshtë nga një dëshmitare e Zyrës Federale të Kriminalistikës.
Për ekspertët ky konstatim vjen i befasishëm. ":Shumica e specialistëve janë nisur deri tani nga teza, se për të realizuar një atentat terrorist të suksesshëm, duhet të kesh qenë më parë në ndonjë trajnim”, thotë eksperti për terrorizmin Steinberg. Ai kujton se ka pasur raste të ngjashme më parë, kur terroristët janë bërë vetë, por ato kanë dështuar. Sipas ekspertit, atentati i Arid Ukës është kështu ndoshta jo vetëm sulmi i parë i suksesshëm terrorist-xhihadist në Gjermani, por i pari i një xhihadisti të prodhuar vetë nëpërmjet internetit
|
Aufrufe: 1721 |
Hinzugefügt von: hikusi
| Rating: 0.0/0 |
|
|