 Nuk ia doli mbanë boksieri meksikan Francisco Leal, në luftë me vdekjen prej 5 ditësh për shkak të një hemorragjie cerebrale të pësuar në ndeshjen kundër rivalit Raul Hirales. Pas goditjeve të marra në ring, Leal ra në koma duke u shtruar në një spital të San Diegos në Californi ku edhe ndërroi jetë. Lajmin e bën të ditur promotori i sfidës, Fernando Beltran. 28 vjeçari përfundoi në tapet gjatë raundit të tetë, i sfilitur pas goditjeve të njëpasnjëshme të marra nga kundërshtari i tij.
Pas vdekjes së tij, bashkëshortja dhe familjarët ranë dakort që organet e tij të dhurohen për bamirësi. Kjo nuk ishte hera e parë që boksieri meksikan përfundonte në spital pasi në datën 31 Mars ai përfundoi në duart e kamishave të bardha pas k.o së pësuar në përballjen me rusin Evgeny Gradovich. Në tëitterin e tij, presidenti i kompanisë promovuese Top Rank, Bruce Trampler, e cilëson të trishtueshëm këtë moment, duke theksuar se Leal nuk ia doli dot mbanë për herë të dytë, pas episodit të 6 muajve më parë në Teksas, duke theksuar se ringjitja e tij në ring ishte një gjest që e çoi drejt vetëvrasjes.
|