Istog, 21 korrik - Një oficer policie është sulmuar fizikisht nga disa persona, në fshatin Vrellë të Istogut, ndërkohë që ky kishte konfiskuar armën e një personi që kishte shtënë në ajër, njoftoi zëdhënësi për informim me publikun nga Polica Rajonale e Kosovës në Pejë, rreshteri Xhevat Ibra, nëpërmjet një komunikate për media, të premten pasdite. Incidenti ka ndodhur kur dasmorët ishin ndalur dhe vallëzonin në qendër të fshatit Vrellë. "Më datën 19 korrik, rreth orës 15:15, derisa zyrtari policor nga njësiti (NJSI) ishte duke u kthyer nga detyra, në qendër të fshatit Vrellë, Komuna e Istogut, ka hasur në kolonë të dasmorëve, që ishin ndalur në rrugë dhe vallëzonin. Me ketë rast afër tij, në anën e djathtë, nga dy metra largësi nga vetura, përmes dritares personi i dyshimtë, shtetasi R.R. (1962) ka shtënë tre herë me pistoletë (revole) në ajër. Zyrtari policor në mënyrë profesionale ka intervenuar dhe ka konfiskuar armën nga ky person, por në ato momente disa persona të tjerë – dasmorë- e kanë sulmuar oficerin policor fizikisht, ndër ta edhe i zoti i dasmës, shtetasi A. R. (1954). Oficerit policor i kanë shkaktuar lëndime trupore”, njofton zëdhënësi Ibra.
Sipas tij, për të shmangur sulmin oficeri policor ka përdorur edhe "sprej-OC”. Ibra ka shtuar se dasmorët kanë arritur që ta grabisin armën e dyshimtë, që kishte shtënë i dyshuari me të dhe janë larguar nga aty.
"Pas një pune intensive operativo-hetimore është arrestuar i dyshuari A. R. , ndërsa janë vetëdorëzuar të dyshuarit R.R. dhe F.R.(1965), i cili e ka dorëzuar armën e tipit M 57 kalibri 7.62 mm me dy gëzhoja pa karikator dhe municion”. Arma, sipas Ibrës, është konfiskuar dhe personat e dyshuar janë arrestuar.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori, me vendim të të cilit këtyre të dyshimtëve u është shqiptuar masa e ndalimit policor në afat prej 48 orësh. Po ashtu është gjetur vetura e dyshimtë e tipit "Seat Ibiza ", në të cilën janë gjetur dhe konfiskuar edhe 4 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe një fishek i kalibrit N.N.
Sipas rreshterit Ibra, në ndërkohë është bastisur edhe shtëpia e të dyshimtit.
|