Ka dhunuar me qindra herë të bijën e mitur ndërsa Gjykata e landit në Landshut e ka dënuar me vetëm 4 vjet e dhjetë muaj burg kosovarin 55-vjeçar. Babai i pashpirt ka pranuar pjesërisht para trupit gjykues krimin, të cilin e ka kryer gjatë gjashtë viteve të fundit. Siç bën të ditur media gjermane, wochenblatt.de, të cilës i referohet Albinfo në Zvicër, dhunën seksuale ndaj të bijës, ai e kishte filluar kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe dhe e kishte ndërprerë vetëm kur e kishte denoncuar bashkëshortja, tashmë e ndarë nga ai. Pranimi i veprës nga ana e tij kishte mundësuar, sipas gjykatës, që e bija të kursehej nga detyrimi për të dëshmuar për dhunën e pashembullt, që kishte përjetuar nga babai i saj biologjik. Si pasojë e traumave të pësuara, ajo i është nënshtruar për gjashtë javë një trajtim psikiatriki rehabilitues por, siç ka thënë gjatë procedurës paraprake, kujtimet e tmerrshme vazhdojnë ta mundojnë. Ajo ka thënë se është dhunuar "me mijëra herë". Kur e ëma e vajzës, më 3 mars të këtij viti e ka ballafaquar ish-bashkëshortin me veprimet e kryera, 55-vjeçari i ka kërcënuar se do t'i vriste dhe do t'ia vinte flakën shtëpisë, nëse do ta denonconin në polici. Ato megjithatë e kishin denoncuar. Ndërsa babai ka "arsyetuar" veprimet e tij perverse e të dhunshme me atë se "bashkëshortja gjatë kësaj periudhe ka qëndruar më tepër në Kosovë se sa me të në Gjermani, kështu që më është dashur të kujdesesha për pesë vajzat. Duke e larë në banjë vajzën e vogël më janë 'ngjallur ndjenjat seksuale (!) ndaj saj", ka thënë ai. Akuza e rëndon për 455 përdhunime seksuale, të cilat janë përshkruar me hollësi. Po ashtu aty thuhet se ai secilën herë ka përdorur dhunën fizike duke i shkaktuar të bijës hematoma në krahë. Ndërkaq i akuzuari relativizon numrin dhe veprimet, duke thënë se veprime të vërteta seksuale ndaj të bijës ka bërë "vetëm" kur ajo i ka mbushur 14 vjeç! Përveç pranimit të veprës, si rrethanë tjetër lehtësuese për babanë e pashpirt, është marrë fakti se gjatë qëndrimit në burg ai ka qenë vazhdimisht i kërcënuar me dhunë nga të burgosurit tjerë. Për këtë arsye ai madje dy herë ka provuar të bënte vetëvrasje. Përveç dënimit me 4 vjet e 10 muaj burg ai duhet edhe t'i paguajë një dëmshpërblim prej së paku 10 mijë euro vajzës së dhunuar. Po kështu, pas vuajtjes së dënimit, ai do të dëbohet në Kosovë
|