Pejë, 22 qershor - Dy veta janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim për vrasjen e një tregtari kinez në Pejë, 10 ditë më parë.
L.G. (1968) e B. K. (1974) nga komuna e Klinës, janë arrestuar. Personi i tretë, që shihet në foto, Shpejtim (Sadri) Berisha (1989), nga fshati Përqevë i Klinës, i identifikuar, është shpallur në kërkim policor pasi gjendet në arrati, raporton Zëri.
Identifikimi i tyre në një pjesë është mundësuar nga kamerat e qytetit, që kanë incizuar disa nga pamjet e largimit të tyre.
Hetuesit rajonalë lidhur me vrasjen e shtetasit kinez, Ye Pei You, më 11 qershor në Pejë, kanë mbledhur prova dhe dëshmi nga vendi i ngjarjes dhe pastaj janë identifikuar tre të dyshuarit, ka thënë zëdhënësi i policisë së Pejës Xhevat Ibra.
Kinezi 42 vjeçar, pronar i një dyqani në Pejë, kishte vdekur nga plagët me thikë në orët e mbrëmjes, kur ai kishte kundërshtuar sulmuesit që ishin futur për të grabitur dyqanin e tij, në rrugën "Eliot Engëll”.
|